Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Pragë të Republikës së Çekisë. Ai nuk do të jetë prezent në Kuvendin e Kosovës, ku pritet adresimi vjetor i Presidentes Vjosa Osmani.
Siç njofton kumtesa, gjatë qëndrimit të tij, ai fillimisht do të zhvillojë një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky. Po ashtu, Kurti do të pritet nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.
Ndërsa, sot në ora 13:00, kryeministri Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzon Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ceremonia e dorëzimit do të shoqërohet me një konferencë të përbashkët të kryeministrit Kurti dhe ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulaa Bek.
Kryeministri Kurti nuk do të jetë në seancën e Kuvendit gjatë adresimit vjetor të Presidentes Osmani.
Përveç Kurtit, fjalimin vjetor të Osmanit e kanë bojkotuar edhe Grupi Parlamentar i PDK-së dhe AAK-së.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani, sepse, siç tha, konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje.
Edhe Grupi Parlamentar i AAK-së konsideron se Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit.