Përpos shtëpive private, banesave, bizneseve e institucioneve të ndryshme të cilat janë cak i vazhdueshëm i hajnave, ata syrin e kanë edhe te veturat e qytetarëve. Edhe në raste kur nuk e marrin veturat në tërësi, i thyejnë ato me shpresë që do gjejnë dhe do marrin ndonjë gjë me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur dje në rrugën ‘Rifat Krasniqi’ në Prizren, ku një burrë është përballur me një vjedhje.
Sinjali mëson se 58-vjeçari kishte dërguar veturën e tij për ta pastruar në autolarje dhe brenda automjetit kishte lënë paratë e mbledhura nga pazari ditor në biznesin e tij, të cilat kapnin vlerën e mbi 7 mijë eurove.
Pasi mori veturën nga autolarja ai ka vërejtur se paratë të cilat kishte për qëllim t’i depononte në bankë, nuk ndodhen në vendin që i ka lënë.
Ai ka njoftuar Policinë lidhur me rastin dhe të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë edhe pamjet nga kamerat e sigurisë e të cilat shfaqin të dyshuarin teksa kryen vjedhjen.
I dyshuari i cili ende nuk është identifikuar, mirëpo janë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e tij.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vjedhje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.