Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate në fshatin Rashnicë të Shtimes, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të personave që ndodheshin brenda automjetit, te shoferi kanë gjetur një armë zjarri, municion e pajisje tjera ilegale.
Gjatë verifikimit, 33-vjeçari ka rezultuar se është i dyshuar për shtatë raste të vjedhjeve. I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“