Lehtësimet që ka krijuar Qeveria e as thirrja direkte e Kryeministrit Albin Kurti s’po i bindin mjekët nga diaspora që të kthehen për të punuar në Kosovë, qoftë edhe përkohësisht. Ndonëse nga MSH’ja thonë se thirrjes i janë përgjigjur një “numër solid”, SHSKUK’ja ka njoftuar vetëm për dy. Njëra është një specialiste e onkologjisë, e tjetri një kardiolog invaziv. Ndërkohë, vetëm në dy muajt e fundit, 19 mjekë kanë lëshuar Kosovën.
Gazeta Express
“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Me këtë thirrje, Kryeministri Albin Kurti kishte tentuar t’i bindte mjekët nga diaspora që të kthehen të punojnë në Kosovë, përkohësisht.
Madje, për t’i kthyer ata në Kosovë, Kurti kishte krijuar edhe lehtësira për ta, duke i liruar nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për të punuar në Kosovë.
Por, as këto lehtësime duket se s’u kanë bërë fort përshtypje.
Nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë Gazetës Express se kësaj thirrje i janë përgjigjur një numër solid i mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë dhe se janë në fazën e shqyrtimit të shprehjes se interesit dhe aspektet që ndërlidhen me pagën dhe çështje tjera do të diskutohen në proces e sipër.
“Na lejoni që të ju informojmë se thirrjes të Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët shëndetësorë që jetojnë në mërgatë deri me tani i është përgjigjur një numër solid i mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor, ku disa prej tyre janë profesionistë që punojnë në institucione mjaft kredibile ndërkombëtare. Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të shprehjes se interesit dhe aspektet që ndërlidhen me pagën dhe çështje tjera do të diskutohen në proces e sipër”, kanë deklaruar nga MSH’ja, pa dhënë ndonjë numër të saktë të atyre që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.
Por, sipas Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, vetëm dy mjekë i janë përgjigjur kësaj thirrje, deri tash.
Ndërkohë, mërgimtari që Kurti e merrte shembull se si ishte kthyer nga ShBA’ja për të punuar në Kosovë, ka dhënë dorëheqje në fillim të tetorit.
Mjekja e parë e cila i ishte përgjigjur kësaj ftese, është specialistja e Onkologjisë Ernesa Xhafa-Hamiti, e cila jeton dhe vepron në Britani të Madhe.
“Xhafa- Hamiti është mjekja e parë që i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ministrisë së Shëndetësisë për angazhim të mjekëve specialistë nga mërgata në institucionet shëndetësore publike në Kosovë. Dr. Ernesa Xhafa- Hamiti do të angazhohet për krijimin dhe aplikimin e udhëzimeve lokale dhe të protokolleve të terapisë antikanceroze në kancerin fillestar dhe të avancuar të gjirit dhe të mushkërive”, kishte njoftuar SHSKUK’ja më 7 nëntor.
Thirrjes së MSH’së i është përgjigjur edhe Fadil Ademaj, Kardiolog Invaziv, i cili për shumë vjet punon dhe vepron në Qendrën Klinike Universitare të Nurnbergut në Gjermani.
Sipas SHSKUK’së, ai do të ndihmojë trajnimin e mjekëve kardiologë në QKUK, por edhe në Spitalin e Prizrenit, ku po punohet për hapjen e Shërbimit të Kardiologjisë Invazive.
“Po ashtu, mjekë nga Kosova do të shkojnë për trajnim në qendrën e specializuar në Gjermani, ku punon Dr. Fadil Ademaj”, kishte njoftuar SHSKUK, më 26 nëntor.
E përderisa Kurti po tenton t’i kthejë mjekët nga diaspora, vetëm në dy muajt e fundit, 19 mjekë kanë ikur nga Kosova.
Sipas Kryetarit të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në total gjatë këtij viti, janë 205 mjekë që kanë marrë dokumentet e nevojshme për largim nga Kosova.
“Gjatë vitit 2022 janë 205 kolegë të cilët kanë marr dokumentet e nevojshme për largim nga Kosova, kurse gjatë dy muajëve të fundit janë 19”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Express.
Lehtësimet që krijoi Qeveria për mjekët e diasporës
Qeveria e Kosovës kishte miratuar lehtësime për mjekët nga diaspora, në fund të muajit shtator.
Sipas vendimit të Qeverisë, mjekët nga mërgata lirohen nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për të punuar në Kosovë, me kërkesë të institucioneve shëndetësore në Kosovë.
Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, ata do të mund të angazhohen në Kosovë nga 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit.
“U miratua vendimi për lirim nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për profesionistët shëndetësorë nga mërgata, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës, angazhohen përkohësisht në këto institucione. Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, këta profesionistë shëndetësorë mund të angazhohen në institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës për një periudhë deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit”, kishte njoftuar Qeveria.
Sipas njoftimit që u kishte dërguar Qeveria mediave, për angazhime më të gjata, ata duhet të fillojnë procedurën e pajisjes me leje qëndrimi sipas legjislacionit në fuqi për të huajt.
“Po ashtu, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë të Huaj në Republikën e Kosovës. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohet procedura dhe kushtet e marrjes së licencës të profesionistit shëndetësor të huaj për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Udhëzimi administrativ do të lehtësoj angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësor në ofrimin e shërbimeve në sistemin tonë shëndetësor”, thuhej në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë pa “zot shtëpie”
Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa zot shtëpie mbi dy muaj. Rifat Latifi që mbante këtë pozitë, dha dorëheqje më 6 tetor. Në vend të tij, s’është emëruar ende askush.
“Frenat” e kësaj Ministrie, tash i ka në duar Kryeministri Albin Kurti, i cili ka themeluar Komision për Shëndetësi, disa javë para se të jepte dorëheqje Latifi.
Gazeta Express ka dërguar pyetje disa herë në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se kur do të emërohet Ministri i ri i Shëndetësisë dhe nëse po përfolet ndonjë emër për këtë pozitë, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.
Aktualisht, Ushtruese e Detyrës së Ministrit të Shëndetësisë është Dafina Gexha.