Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në dokumentin që siguroi Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e konfirmuan vërtetësinë e propozimit.
Edhe pse gjatë periudhës së kaluar, në media u publikuan disa versione, aktorët kryesorë në Bruksel, Prishtinë apo Beograd nuk e konfirmuan asnjëherë autenticitetin e tyre, ndonëse pranuan se ekziston një plan.
Javën e kaluar, në margjinat e një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kanë marrë versionin e përditësuar të planit.
Burimet e REL-it thonë se, edhe pse versioni i ri ka ndryshime, ato nuk janë thelbësore dhe se elementet kryesore për marrëveshjen bazë, mbeten të njëjta.
Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.
Në dokument nënvizohet se nëse palët pajtohen me të, ato do të jenë të vetëdijshme se moscenimi i kufijve, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave janë kushtet bazë për paqe.
Aty, po ashtu, nënvizohet se të dyja palët do të kenë si pikënisje qëllimin dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht respektimin e pavarësisë, autonomisë, integritetit territorial dhe të së drejtës për vetëvendosje, si dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.
Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Po sipas tij, palët do t’i hapnin “misionet e përhershme” në selitë qeveritare të njëra-tjetrës dhe do të niseshin nga fakti se “asnjëra nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare”.
Propozimi thekson në mënyrë eksplicite se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Në një pikë të propozimit përmendet edhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe aranzhimet për komunitetin serb në Kosovë.
Një nivel “i fortë” i mbrojtjes do të duhej t’i sigurohej Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, thuhet në propozim.
Ai nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por vë theksin mbi zbatimin e të gjitha obligimeve që kanë marrë palët, deri më tash, në dialogun e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.
Ndonëse autoritetet në Serbi insistojnë në zbatimin e saj, ato në Kosovë thonë se nuk mund të formojnë asociacion njëetnik.
Propozimi i BE-së thotë se, sa i përket “nivelit përkatës të vetëqeverisjes” për serbët e Kosovës, “të dyja palët obligohen që të vendosin aranzhime të posaçme dhe garanci në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës, duke u bazuar në përvojat ekzistuese evropiane”. Kjo, me qëllim që të sigurohet niveli i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, si dhe kapacitetet për ofrimin e shërbimeve në disa fusha, përfshirë edhe mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe kanalet e komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Sipas dokumentit, palët do të duhej të rrisnin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë: ekonominë, shkencën, teknologjinë, transportin, drejtësinë, postën dhe telekomin, shëndetësinë, kulturën, religjionin, sportin dhe mjedisin.
Dokumenti, në veçanti, përmend bashkëpunimin për çështjen e të pagjeturve nga lufta e viteve 1998/99 dhe të drejtat e personave të zhvendosur.
Palët, po ashtu, do të merrnin në konsideratë edhe përkushtimin e Bashkimit Evropian dhe të donatorëve tjerë për krijimin e një pakete të veçantë të mbështetjes financiare për projektet e përbashkëta.
Në fund, parashihet edhe krijimi i komisioneve të përbashkëta për të monitoruar zbatimin e vetë propozimit të BE-së.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.
Më herët, zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se propozimi i BE-së paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.