Pas sulmeve që kanë ndodhur në Veri të Mitrovicës ndaj Eulex-it, ka reaguar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ku tha se kjo është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
“Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje Haradinaj tha se tani është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.
“Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!
Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”, përfundoi ai.