Policia u sulmua me armë zjarri nga grupet kriminale në afërsi të Ujmanit. Në Zubin Potok u raportuan edhe gjuajtje me shok-bomba. Në disa zona të veriut ka barrikada. Kjo është situata aktuale në Veriun e Kosovës.
Gjithë këto tensione kësaj here nuk ndërlidhen me procesin e zgjedhjeve që ishte planifikuar më 18 dhjetor, pasi ato u shtynë. Por, me arrestimin e ish-policit serb që dha dorëheqje ditë më parë, Dejan Pantiq. Ky i fundit dyshohet se ishte përfshirë në sulmin ndaj policisë dhe objekteve të KQZ-së.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë sulmuar me armë zjarri në Ujman, dhe janë detyruar që të përgjigjen me të shtëna. Nuk dihet deri më tash nëse ka të lënduar, apo dëme materiale. Të shtëna janë raportuar edhe në zona tjera.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, bëhet e ditur më tutje.
“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”, përfundon komunikata.
Në anën tjetër, në Zubin Potok është raportuar se ka pasur gjuajtje me shok-bomba. Barrikadat janë në disa zona të veriut, përfshirë Zveçanin, Zubin Potokun e Leposaviqin.
Për pasojë, Policia e Kosovës i ka mbyllur pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak, dhe ka kërkuar nga qytetarët të përdorin pikat e tjera kufitare.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave. Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Siç është bërë e ditur, gjithë kjo situatë u krijua, pasi serbët nuk duan të lejojnë që ish-polici i arrestuar të transportohet për në Prishtinë. Sipas informacioneve jozyrtare, Pantiq është ende në stacionin e Policisë në Leposaviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për gjithë këtë situatë. Ai bëri thirrje që barrikadat e kriminelëve me maska të hiqen menjëherë. Tha se do t’i përgjigjen agresionit me gjithë fuqinë.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, ka shkruar Kurti.
Pse u arrestua Dejan Pantiq?
Dejan Pantiq dyshohet të jetë njëri nga ish-policët serbë që kishin dhënë dorëheqje ditë më parë, që ishte përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë dhe atyre të KQZ-së, që po bëheshin gati për zgjedhje. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ky ish-polic akuzohet për kryerjen e veprave terroriste.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, ka shkruar Sveçla.
“Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri. Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”, ka shkruar ai.
Për këtë situatë, ende nuk ka ndonjë reagim ndërkombëtarë. Kjo pasi ata deri tash lavdëruan vendimin e presidentes Osmani që zgjedhjet në veri të shtyhen.
Në anën tjetër, liderët institucionalë serbë kanë bërë të ditur se kanë diskutuar me zyrtarët e BE-së dhe i kanë njoftuar me këtë situatë.
Deklarata e Vuçiqit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij ka akuzuar Kosovën për arrestimin e policit serb.
Ai po ashtu ka thënë se ka diskutuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se vendimi për arrestimin e Pantiqit e ka rrezikuar paqen.
“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se në shenjë proteste kundër arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, serbët vendosën barrikada në disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës.
“Sot në shenjë proteste kundër arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, serbët vendosën barrikada në disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës”, raportohet të ketë thënë Vuçiq, shkruan RTS.
Presidenti serb ka deklaruar se do të bëj kërkesë te KFOR-i që t’ia lejojnë dërgimin e njësive serbe në Kosovë.