Rrugët në veri të Mitrovicës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat e vëna nga serbët, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, e cila është duke qëndruar në Rudar të Zveçanit, ka raportuar se gazetarët nuk po mund të afrohen afër barrikadave për shkak se pak minuta më parë aty është dëgjuar një shpërthim, duke e bërë kështu të pasigurt qëndrimin në afërsi të atyre bllokadave.
Patrullat e KFOR-it e EULEX-it janë duke qëndruar në këtë pjesë të vendit.
Nga informacionet që Klan Kosova ka siguruar, bëhet e ditur se një patrullë e policisë ka mbetur në mes të dy barrikadave që kanë vënë serbët në Rudar.
Raportohet se zyrtarët policorë po ktheheshin nga pika kufitare në Jarinjë, megjithatë mobilizimi i serbëve i ka lënë në mes të barrikadave. Ata janë afruar afër një patrulle të KFOR-it derisa të krijohet një terren i përshtatshëm që ata të mund të dalin nga aty.
Edhe në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në lagjen e Boshnjakëve, është duke vazhduar patrullimi i policisë para zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.