Sot pas mesnate, një zyrtar policor është lënduar nga disa persona në veri të vendit. Sipas njoftimit të policisë janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Insajderi ka kontaktuar me shefin e emergjencës në komunën e Mitrovicës, Agron Sumiqi në lidhje me gjendjen shëndetësore të policit, por, i njëjti tha se nuk ka informacione rreth rastit duke qenë se nuk është në orarin e punës.
“Nuk e di sepse nuk jam në ndërrim. Sipas të gjitha gjasave ai nuk ka qenë aty tek ne, sepse do të isha informuar deri tash”, tha Sumiqi për Insajderin
Njoftimi i Policisë:
Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasoj e incidentit, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore.