Ish-kryeinspektor i burgjeve të Kosovës, Ylber Topalli ka thënë se ai ka zero dyshime që aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari është vrarë nga dikush.
Duke folur në Pressing të T7, Topalli ka thënë se s’ka asnjë dyshimtë që dikush ka mundur t’ia shkaktojë vdekjen Deharit në ditën e 5 nëntorit 2016.
“Dyshimet e mia si kryeinspektor që Astrit Dehari është vrarë, janë zero”, ka thënë ai në Pressing.
Topalli e ka akuzuar avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi se po trazon atë familje dhe të gjithë opinionin. Ai ka thënë se prindërit e aktivistit të VV-së, duhet ta dijnë të vërtetën.
“E kam të vështirë të flas për Rastin Dehari, edhe unë isha një prej të burgosurve në burgjet serbe dhe do të mund të kisha përfunduar si ai. Megjithatë, duhet treguar e vërteta. E vërteta e qetëson familjen Dehari, që po trazohen nga avokati Gashi”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se dera numër 3, ku mbahej Dehari nuk është hapur asnjëherë.
“E vërteta sipas asaj që unë e di, është që dera e dhomës 3 për asnjë moment s’ka qenë e hapur nga momenti i daljes së të burgosurve dhe shokëve të Astrit Deharit, deri në momentin e kthimit nga shëtitorja”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se gjatë kohës që dyshohet se mund të ketë ndodhur vrasja, dera e burgut ku gjendej aktivisti, nuk ishte hapur asnjëherë.
“Do të thotë, Astrit Dehari ka qenë i vetmuar në dhomë dhe këtë e vërtetojnë edhe analizat e laboratorit në Austri, të cilat janë dërguar nga kryeprokurori i Shtetit, të cilat vërtetojnë që kamerat nuk janë të manipuluara e as të ndërprera. Kemi të bëjmë me një rast që ka qenë i mbyllur në dhomë. Askush s’ka mundur t’i bëj dëm atij”, ka thënë tutje ai.
Topalli ka dhënë sqarime edhe për dyshimet se vrasësi potencial mund të jetë futur nga një derë tjetër që ishte e lidhur me dhomën ku mbahej Dehari. Sipas tij, kjo gjë ka qenë e pamundur.
“Është manipuluar me atë derë, ajo është derë e tipit të burgjeve të komunizmit, që i ka ndërlidhë të burogsurit për t’u dërguar te UDB. Ajo derë ka qenë jofunksionale, nuk mund të besohet që dikush ka hy në dhomë dhe e ka vrarë Astrit Dehari”, ka thënë ai.
Aktualisht, Topalli është i suspenduar nga pozita e tij. Ai ka treguar për arsyet që kanë çuar në suspendimin e tij.
“Jam suspenduar me një vendim të Komisionit Disiplinor dhe jam në procedurë ankese. Suspendimi im kja ardhur si rezultat i një raporti të inspektorëve, të cilët i kanë rishikuar procedurat e rastit Dehari dhe kanë ardhë në përfundime të paqena, kinse unë kam manipuluar lidhur me provat për rastin Dehari”, ka deklaruar Topalli.