Policia e Kosovës, ka quajtur lajme të pavërteta lidhur me raportimet se Policia e Kosovës do të furnizohet me vetura të tipit Audi Q7.
Përmes një njoftimi për media, raportimet e tilla janë quajtur të pavërteta, duke thënë se aktualisht Policia e Kosovës përdorë automjetet e tipit Shkoda.
“Informojmë opinionin e gjerë dhe mediat se një shkrim i tillë nuk është publikuar nga asnjë adresë zyrtare e Policisë së Kosovës dhe as nga Facebooku zyrtar i PK-së dhe si i tillë nuk qëndron. Policia e Kosovës momentalisht ka kontratë për automjete te tipit Shkoda, e lidhur përmes procedurës së prokurimit të realizuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit. Duke pas parasysh se kjo kontratë skadon këtë vit, Agjencia Qendrore e Prokurimit edhe këtë vit do të realizoj një procedurë të prokurimit për blerje të automjeteve për nevojat e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
“Prandaj, ju informojmë se pohimet dhe shkrimet e tilla jo zyrtare dhe të pa konfirmuara, se kinse Policia do të furnizohet me vetura të tipit Audi Q7 nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”.
“Policia e Kosovës inkurajonë mediat, në veçanti ato elektronike që lajme të tilla që ndërlidhen me fushëveprimtarinë apo kapacitetet e PK-së, çështjet që kanë nevojë për sqarime apo përgjigje adekuate, së pari të adresojnë tek zyrtarët kompetent për informim dhe të mos bien pre e dezinformatave apo publikimeve jozyrtare nga adresa të paverifikuara mirë”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.