Ministri i Punëve të Jashtme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, sot ka folur për situatën në Veri, pasi dje atje pati shpërthime.
Ai tha se garancia e vetme për të mos u përsëritur ngjarjet e djeshme është luftimi i “kriminelëve” 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Sveçla e quajti sponsor të keqbërësve.
“Unë mund t’iu them se PK por jo vetëm, të gjitha institucionet e sigurisë dhe zyrtarët e Republikës së Kosovës, janë maksimalisht të angazhuar të parandalohen, dhe në qoftë se ndodhin këto raste, keqbërësit apo kriminelët të vihen para drejtësisë. Tash, unë nuk pres diçka të mirë as nga Vucic as nga Qeveria e Serbisë, të cilët realisht janë udhëheqësit, financuesit dhe mbështetësit e këtyre grupeve, i japin edhe mburojën politike. Nuk pres që në një moment këta të vendosin se do ti lënë këto praktika. Është në dorën, obligimin e detyrën e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, që këto praktika, këta kriminelë të luftohen 24/7 edhe atë suksesshëm. Kjo është garancia që këta nuk do të përsërisin këso lloj veprash, përndryshe prej tyre nuk pres asgjë të mirë”