Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës sot përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet ndaj Telekomit Mobil të Serbisë. Por ky nuk është rasti i parë që operatori mobil serb MTS D.O.O. ka has në probleme të zbatimit të ligjit. Edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), e ka gjobitur kompaninë në fjalë me 10 mijë euro.
Në muajin e kaluar ARKEP, kishte nxjerrë vendim ndaj ndërmarrjes “mts” D.O.O, ku i shqiptohet sanksioni ekonomik në shumë prej dhjetë mijë euro , për mos përmbushjen e detyrimeve rregullatorë për dërgimin e mesazheve të shkurta (SMS) për interes të publikut.
Në vendim thuhet “Obligohet ndërmarrja “mts” D.O.O., të paguaj sanksionin ekonomik të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi në afat prej 30 ditës nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky është vendimi i ARKEP-it:
Ndryshe, sot Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës kanë filluar hetimet ndaj Telekomit Mobil të Serbisë.
“Njofton opinionin, se me datën 25.11.2022 Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerr Konkluzion për fillimin e procedurës kundër ndërmarrjes MTS D.O.O. Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrja MTS D.O.O. (Telekomi Mobil i Serbisë), e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në njoftim kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon siç thanë ata, të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin.
“Autoriteti njofton se, Transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës”.
“Autoriteti njofton se, Fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar. AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS D.O.O”, thuhet në njoftimin e tyre.