Pothuajse çdo ditë ndodhin dhjetëra raste të dhunës në familjet në Kosovë, por jo të gjitha denoncohen në Polici. Në shumicën prej tyre gratë janë viktima, por shpesh ndodh që edhe familjarët e tjerë, të përfundojnë të prangosur si pasojë e përleshjeve. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Abedin Tërbeshi” të Gjakovës, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë të përfshirë tre vëllezër, që u përleshën dhe përfunduan në ndalim policor.
Sipas informacioneve të para fillimisht janë kapur dy vëllezër, të cilët u rrahën me njëri-tjetrin, e më pas ka ndërhyrë edhe vëllai tjetër. Gjatë kohës sa të njëjtit kanë përleshur kanë qenë në gjendje të dehur.
Pasi dikush lajmëroi Policinë, një patrullë doli në vendin e ngjarjes për t’i shoqëruar të dyshuarit në stacion policor, ku janë intervistuar në lidhje me rastin.
Sinjali mëson se ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orëve, nën dyshimet për veprat penale “Dhunë në familje”.