Avokati Arianit Koci ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Këtë vendim, Koci e ka quajtur anomali të sistemit juridik të Kosovës. Ai është mbështetur në vlerësime të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias.
“Një anomali tjetër e sistemit juridik të Kosovës! Gjykata Themelore në Prishtinë paska vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë me të cilin u janë ulur pagat gjyqtarëve e prokurorëve. Në vakume të tilla juridike, Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias e kishin njohur këtë të drejtë nën arsyetimin se nuk ekziston një autoritet alternativ që do mund të vlerësonte kushtetutshmërinë e një akti të caktuar, sepse vendimi në fjalë i Qeverisë i prek të gjithë gjyqtarët, prandaj nuk mund të konsiderohet përjashtimi i të gjithë gjyqtarëve”, ka shkruar Koci.
Koci ka pyetur se përse Gjykata Themelore nuk e kishte kundërshtuar rritjen e pagave, meqenëse ndryshimi i pagave, sipas Gjykatës Kushtetuese, mund të bëhet vetëm me Ligjin për Paga.
“Megjithatë, veprimet e tilla ngjallin dyshime të tjera. Në të njëjtin vendim të Gjykatës Kushtetuese, ajo kishte konstatuar se ndryshimi i pagave të gjyqtarëve mund të bëhet vetëm me ligjin për paga dhe nuk mund të jetë subjekt i vendimeve qeveritare. Pse nuk u kundërshtua ky vendim kur u rritën pagat? Nëse nuk u kontestua, a indikon kjo se Gjykatat në raste të tilla gjithnjë do vendosin në favor të tyre? Pavarësisht se nuk pajtohem me vendimin e Qeverisë, koston e qërimit të këtyre hesapeve mes dy pushteteve nuk duhet ta paguajnë qytetarët me tejzgjatje të gjykimeve, ani pse mirëfilli dihet sa gjatë zvarriten procedurat”, ka shkruar ai.
“Në anën tjetër, dihet se të gjithë jemi të barabartë, por po shihet se disa janë më të barabartë se të tjerët. Për caktimin e masës për vete Gjykatës i mori 24 orë kohë; të njëjtës për dikë tjetër i merr 7 muaj. Kjo anomali tjetër!”, ka shkruar në fund ai.