Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka pranuar padinë e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës kundër Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit dhe ka vendosur që të shtyjë vendimin e Qeverisë së Kosovës për për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Vendimi për uljen e pagave sipas vendimit të Gjykatës nuk do të ekzekutohet derisa gjykata të vendosur me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me kërkesëpadinë e Shoqatës së Prokurorëve.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me datën 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ.
Gjykata me datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses.
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese.