Hamide Magashi në korrik i ishte drejtuar Policisë. Arsye për këtë ishte dhuna e vazhdueshme nga bashkëshorti. Ajo vendosi të ndahej nga Sokol Halili, personi që ia mori edhe jetën. Shteti nuk arriti ta mbronte Magashin, edhe pse ajo kishte urdhër mbrojtës nga Gjykata Themelore në Ferizaj deri në muajin mars 2023. Ky është rasti i nëntë kur gratë që kanë raportuar dhunën, vriten nga bashkëshortët, si dështim i radhës i shtetit. Nacionale sjell detaje.
Vrasja e Hamide Magashit, 35-vjeçare nga Lipjani, është vetëm rasti i radhës ku gratë vriten nga bashkëshortët, e të cilat paraprakisht rastin e kishin adresuar në institucione, ose vrasësit kishin të kaluar kriminale. Në nëntë raste deri më tash ku gratë janë vrarë, është konfirmuar se ndonjëra nga hallkat institucionale ka dështuar. Si pasojë, kjo i ka kushtuar me jetë nëntë grave. NËNTË GRAVE.
Vrasja në Gjinekologji / Urdhër-mbrojtja, dëshmia e motrës e akomodimi në spital në fundjavë – detajet e fundit nga rasti që tronditi vendin
Magashi në muajin korrik e kishte raportuar dhunën nga bashkëshorti i saj Sokol Halili. Ky i fundit ishte liruar në procedurë të rregullt nga Prokuroria, si i dyshuar për kanosje. Më 10 gusht Gjykata ngre aktakuzë ndaj Halilit për kanosje. Ai e mohon fajësinë, dhe kërkon hudhjen e aktakuzës.
Më 13 shtator 2022, Gjykata e Ferizajt lëshon urdhër-mbrojtës për Hamide Magashin, që vlente për gjashtë muaj. Deri në mars të vitit 2023. Vetëm pak ditë më pas, Sokol Halili dënohet me gjobë për armëmbajtje pa leje.
Procedura për kanosjen ndaj bashkëshortes kishte vazhduar. Gjykata e Ferizajt kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, dhe rasti pritej të vazhdonte në shqyrtim gjyqësor. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e mundur. Kjo pasi Sokol Halili, një ditë më parë e vrau me armë zjarri Hamide Magashin para Klinikës së Gjinekologjisë, ku ajo po priste që ta lindte fëmijën e saj.
Pavarësisht urdhrit mbrojtës nga Gjykata e Ferizajt, ai lirshëm disa herë kishte arritur t’i afrohet viktimës. E kishte kërcënuar, e i kishte bërë presion që të bashkohen. Megjithatë, institucionet po vlerësohet se dështuan ta mbrojnë gruan nga Lipjani, përkundër urdhrit mbrojtës.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Ferizajt.
Rasti i Hamide Magashi është rasti i nëntë ku gratë vriten nga bashkëshortët, e të cilat paraprakisht i ishin drejtuar institucioneve. Ose, vrasësit kishin të kaluar kriminale.
Gazeta Nacionale sjell të gjitha rastet ku shteti nuk arriti t’i mbrojë gratë e vrara, edhe pse rastet ishin të raportuara, masat ishin të përcaktuara, por zbatimi nuk arriti të bëhej asnjëherë.
Rasti Diana Kastrati
Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës për të kërkuar urdhër-mbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Kjo pasi Kastrati, ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit.
Megjithatë, kjo urdhër-mbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale. Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.
Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.
Tash e 11 vjet, i dyshuari për vrasjen e Diana Kastratit është në liri. Ai jeton në Spanjë, dhe përkundër që kërkohet nga INTERPOL-i, nuk mund të ekstradohet në Kosovë, për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Një dekadë pas vrasjes, gjykata e kishte obliguar shtetin që familjes së Kastratit t’ia paguajë 95 mijë euro si dëmshpërblim.
Rasti Zejnepe Berisha
Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur.
Pak ditë pas vrasjes, në publik dolën detaje të reja. Zejnepe Berisha e kishte raportuar me dhjetëra herë në Polici dhunën në familje, por që i dyshuari sërish ishte lënë në liri.
Fillimisht Nebih Berisha ishte dënuar me 12 vjet burgim, vendim që solli protesta e reagime në Kosovë vite më parë. Ndërkaq, Gjykata e Apelit më pas ia kishte shtuar edhe 5 vjet dënim, duke bërë që dënimi final të arrinte në 17 vjet burgim.
Edhe në këtë rast, askush nuk dha përgjegjësi në lidhje me mos-veprimin e shtetit, si dhe dështimin për t’ia ofruar sigurinë Zejnepe Berishës.
Rasti Valbona Marku – Nrecaj
Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj.
Valbona kishte tentuar të kontaktojë me Policinë për kërcënimet ndaj saj, por që dilemat u shfaqën se Policia nuk e kishte kryer punën si duhet. Edhe pse u dorëzua kallëzim penal ndaj policëve me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk pati rezultat pasi u konstatua se s’pati shkelje.
Çifti kishte pasur probleme edhe në të kaluarën. E shtetin e bëri direkt fajtor vëllai i Valbonës, Shkëlzen Marku.
“Shteti ka dështuar t’i ofrojë ndihmë motrës sime, veç se janë shtetase të Shqipërisë”, kishte thënë ai.
Rasti Sabile Mavrovqani
Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020 u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje. Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike, deri në vrasje.
Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.
Tragjedinë e bënin më të madhe dy fakte: e para që gruaja kishte qenë në lindje vetëm pak javë më parë. Kurse, tjetri është që Nuhi Mavrovqani kishte qenë i dënuar edhe më herët për dhunë në familje dhe vepra të tjera penale.
Sërish, shteti dështoi t’i ofronte siguri gruas nga Kamenica. Nuhi Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por më pas atij iu zbut dënimi në 25 vjet burgim.
Rasti Sebahate Sopi
Në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë.
Megjithatë, Prokuroria nuk e mori këtë rast me seriozitet, dhe Sebahate Sopi më pas u vra. Dështimin e shtetit e kishte konfirmuar edhe Avokati i Popullit, kurse tashmë vajza e Sebahates i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese.
“Kështu, L.S kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Sebahate Morinës, ku më pas kishte vrarë edhe veten. Në raport thuhet se si pasojë e dhunës së vazhdueshme në familje, palët kishin filluar procedurat e shkurorëzimit. Tashmë e ndjera, Sebahate Morina, kishte raportuar dy herë rastin e dhunës në familje, por autoritetet përkatëse nuk e kishin trajtuar rastin me seriozitet”, thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.
Rasti Lirie Qerimaj
Në janarin e këtij viti, Lirie Qerimaj ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.
Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.
Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, Skender Qerimaj.
Lirije Qerimaj ishte lënë në një shtëpi me të burrin e saj, i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte raportuar.
Rasti Marigona Osmani
18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dhunuar e rrahur fizikisht deri në vrasje. I dashuri i saj Dardan Krivaqa, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Osmanit, duke e lënë të vdekur.
Dardan Krivaqa ishte person me të kaluar kriminale. Ai ishte dyshuar për vjedhje e sulm ndaj një polici, por që drejtësia e kishte lënë të lirë. Ai ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, për 6 vite duke mos u trajtuar si duhet rastet e tij gjyqësore edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje.
Babai i Marigona Osmanit kishte deklaruar se nëna e Krivaqës kishte fuqi dhe ndikim, që kishte bërë që ai të mbetej në liri.
Për të gjitha këto raste të paraqitura në këtë artikull, e as për rastin e djeshëm ku i dyshuari ka precedan kriminal, nuk ka pasur asnjë masë ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, apo akterëve të tjerë të sigurisë e drejtësisë të përfshirë në këto raste.