“Denim me gjobë, pasi që është mbajtës i familjes dhe ka gjendje të rëndë ekonomike”, kjo është njëra ndër arsyetimit në aktgjykimin ndaj Sokol Halilit kur u dënua vetëm me gjobë për armë ani pse gjatë kësaj periudhe Gjykata ishte në dijeni se ndaj tij është ngritur edhe një aktakuzë për kanosje e ka urdhër që të mos i afrohet ish-gruas.
Gjykata Themelore në Ferizaj, në shtator të këtij viti, të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzëne në Qendrën Klinike Universitare Sokol Halili e kishte dënuar me vetëm 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Vendimi për dënimin e tij, është marrë me 23 shtator, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas aktgjykimit Sokol Halili e kishte pranuar fajësinë duke premtuar se në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra të tilla.
“I pandehuri S.H. në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale, për të cilën e ngarkon aktakuza në të gjitha pikat e saj, duke shtuar se është penduar për kryerjen e kësaj vepre penale dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra të tilla apo të ngjashme”, thuhet në aktgjykim.
Pas kësaj, mbrojtësi i tij, avokati Behar Sejda kishte propozuar që ndaj të njëjtit të shqiptojë një dënim me gjobë, pasi që është mbajtës i familjes dhe ka gjendje të rëndë ekonomike.
“Me rastin e matjes se llojit dhe lartësisë se dënimit të merret parasysh si rrethanë veçanërisht lehtësuese pranimin e fajësisë nga i akuzuari, dhe si rrethana lehtësuese të merret parasysh se pranimin e fajësisë të cilin e ka bërë në mënyrë të sinqertë, i njëjti është mbajtës i familjes dhe ka gjendje të rëndë ekonomike dhe propozon gjykatës që ndaj të njëjtit të shqiptoj një dënim me gjobë”, kishte thënë avokati Sejda, shkruan Betimi për Drejtësi.
Ndërkaq, sipas aktgjykimit, me rastin e matjes së dënimit, gjykata kishte vlerësuar të gjitha rrethanat, veçanërisht ato lehtësuese.
“Me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykata vlerësoi të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit në kuptim të nenit 69 të KPRK-së, si rrethana veçanërisht lehtësuese mori se i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprën e kryer penale, ndërsa si rrethana lehtësuese pati parasysh faktin se nuk ka të dhëna që i njëjti më parë ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, është penduar për kryerjen e kësaj vepre”, thuhet në aktgjykim.