Në Dhomat e Specializuara, sot (13:30) dhe nesër (9:30), mbahet seanca e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj, shkruan Fokusi.info.
Pas kërkesës nga mbrojtja e Haradinajt, e shprehur në versionin e korrigjuar të ankesës, Paneli i Apelit ka lëshuar një urdhër me të cilin ka caktuar seancën në datat e mësipërme.
“Çështja ka të bëjë me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, sipas nenit 15(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj, respektivisht kryetar dhe nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve të mundshëm”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara .
Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Të dy të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.
”Gucati dhe Haradinaj i dorëzuan njoftimet për apel ndërsa ZPS-ja ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të apelojë aktgjykimin e shkallës së parë”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.