Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Ince, beson se ylli i “Djajve të kuq” mund të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, përkundër shkarkimit të ish-trajnerit, Jose Mourinhos.
Gjatë afatit kalimtar të verës ishte përfolur për një transferim të mundshëm të francezit në Barcelonë, pasi marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit Jose Mourinho nuk ishin aspak të mira, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, tani që Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit dhe në vend të tij është emëruar Ole Gunnar Solskjaer, mediat angleze raportojnë se Pogba është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me klubin anglez, përkundër që në kontratën e tij aktuale i ka edhe 2 vjet e gjysmë të mbetura.
Por, Ince nuk beson se Pogba e ka të ardhmen e sigurt në Manchester United pasi që beson se francezi mund ta kërkojë largimin nga klubi në fund të këtij sezoni.
“Nuk mund ta dish kurrë çfarë mund të ndodhë me Pogbën. E kemi parë këtë gjë me Mourinhon. Ne e dinim se ata nuk kalonin mirë mes vete, e kemi parë këtë gjë mjaftueshëm në media. Dhe mendoj se tifozët e Manchester Unitedit filluan ta kundërshtonin Pogbën”, ka thënë Ince.
“Të gjithë e dimë se çfarë lojtari i mrekullueshëm mund të jetë Pogba, mirëpo këtë gjë duhet ta bësh javë pas jave. Këtë gjë e presin tifozët e Manchester Unitedit. Paul Pogba duhet ta fitojë besimin e tifozëve përsëri dhe paraqitjet e tij kanë arritur ta bëjnë këtë gjë, gjatë katër apo pesë javëve të fundit”.
“Por, nuk është vetëm Paul Pogba. Kur flasim për situatën dhe problemet gjatë kohës së Mourinhos, gjithmonë flasim për Pogbën sepse ai ishte kryesori. Aty ishin katër apo pesë lojtarë që nuk po e bënin atë që kërkohej nga ta. A do të qëndrojë ai në fund të sezonit? Nuk e di”.
25-vjeçari ka qenë në një formë mbresëlënëse që kur Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, duke i shënuar pesë gola të cilat i ndihmuan Manchester Unitedit t’i fitojë tetë ndeshje radhazi.