Komuna e Qemajl Aliut, i vetëshpallur si “çlirimtar”, ka vendosur t’i shpenzojë 5 mijë euro për t’i kaluar disa qaste argëtuese në qytetin e Vlorës në Shqipëri. Qëndrimin dy ditor në këtë qytet, komuna e Shtimes e ka arsyetuar duke thënë se i kanë bërë “Vizitë Studimore” qytetit të Vlorës.
Stafi i komunë së Shtimes, i përberë nga 28 “delegatë” kanë “pushuar” qytetin e Vlorës për dy ditë.
Me datën 26 dhe 27 të këtij muaji, kjo komunë ka bërë Organizimin e Seancës së Kuvendit Jashtë Kosovës për Ditën e 28 Nëntorit, me qëllimin që t’i bëhet një vizitë studimore qytetit të Vlorës, shkruan Demokracia.com.
Qëndrimi në këtë qytet historik “patriotëve të Shtimes” ia ka kushtuar hiç më pak se 5 mijë euro.
“Organizimi i Seancës së Kuvendit Jashtë Kosovës për Ditën e 28 Nëntorit. Organizimi i Seancës së Kuvendit Jashtë Kosovës për Ditën e 28 Nëntorit , Vizitë Studimore Qytetit të Vlorës. Vlera e përgjithshme e kontratës 4,900.00. Data e inicimit te aktivitetit te prokurimit: 08.11.2022. Data e publikimit te Njoftimit te dhënies se kontratës: 23.11.2022. Numri i kërkesave për tërheqje te Dosjes se Tenderit: 1. Data e nënshkrimit te kontratës: 24.11.2022. Emri zyrtar: VALMIR MUSTAFA B.I”, thuhet në njoftimin e shpallur në e-prokurim.
Tutje në dosjen e tenderit është treguar se zyrtarët e Komunës së Shtimes janë akomoduar dy natë në hotel, në të cilin kanë qenë të përfshira edhe ushqimi dhe pijet.
“Akomodim 26 dhe 27 Nëntor. Akomodimi në hotel për dy net , duke përfshirë dy mëngjise, tri dreka, dy darka për 28 persona”.
Në tenderin e dhënë bëhet me dije se në hotelin ku kanë qëndruar zyrtaret e Shtimes është dashur t’i plotësoj edhe disa kushte.
“Hoteli ku do të vendoset personeli, duhet të përfshijë sallën për mbajtjen e seancës (conference room), ujë të thjeshtë gjatë seancës, gjatë pauzave të seancës kafe apo çaj për të pranishmit si dhe gjatë transportit nga Kosova në Shqipëri duhet të servohet ujë të thjeshtë. Akomodimi në hotel të bëhet nga dy eventualisht tre persona. Të gjitha këto sipas agjendës duhet të përfshihen në çmimin e ofertës”.
Në fund është treguar se zyrtarët komunal nga Shtmja janë nis më datën 26.11.2022 në ora 7:30 h para Eli-Abit, ndërsa kthimi nga Vlora për në Kosovë është bërë me datën 28.11.2022, pas dite.
Për këtë vizitë në Vlorë edhe vet Komuna e Shtimes ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke treguar se kanë mbajtur një “mbledhje solemne të Kuvendit Komunal për nder të 28 Nëntorit”.
“Kuvendi i Komunës së Shtimes dje ka mbajtur mbledhjen solemne dhe të rregullt për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar!”.
Në këtë njoftim është treguar se të pranishmit i ka përshëndetur kryetari me një fjalë rasti me video transmetim.
“Për pjesën e parë të mbledhjes solemne të Kuvendit Komunal, me një fjalë rasti me video transmetim, kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, i përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha se 28 Nëntori është data e identitetit kombëtar shqiptar që ndërlidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat, prej Skenderbeut në Krujë, Ismail Qemalit në Vlorë e Adem Jasharit në Prekaz”.
Kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, me këtë rast, thuhet në postimin e Komunës, propozoi që të futet në rend dite, si pikë shtesë e mbledhjes, dhënia e betimit të anëtares së re të Kuvendit Komunal, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Zejnije Veliu, me rastin e zëvendësimit të anëtares së Kuvendit, Heroina Selmani.
Pas betimit, Kuvendi Komunal shqyrtoi dhe miratoi unanimisht të gjitha pikat e rendit të ditës, përveç pikës së 7-të e cila është vendosur që të shtyhet për në mbledhjen e radhës.