Mbrëmjen e djeshme, më 28 nëntor, një numër i madh i shqiptarëve kanë shënuar festën e Pavarësisë së Shqipërisë duke vozitur vetura të shtrenjta në qendër të Londrës. Ata shkaktuan një kolaps trafiku, i cili shkaktoi zemërimin e qytetarëve. Madje, nuk ka munguar as reagimi nga politikanët.
Janë publikuar video dhe foto që tregojnë festën në vetura si Lamborghini, Porsche, Range Rover, Mercedes dhe Audi. Në automjete ka pasur flamuj shqiptarë, në rrugët e metropolit ka pasur edhe vallëzime. Policia njoftoi se gjatë festës është arrestuar një person.
Disa janë të zemëruar që shkaktuan një ngrirje të trafikut që zgjati për një orë. Nga ana tjetër, të shumtë janë ata që nuk kanë mundur të rezistojnë duke reaguar ndaj automjeteve të shtrenjta.
Një nga britanikët tha, “Duke parë këto vetura luksoze, duket se shqiptarët nuk do ta kenë problem rritjen e çmimeve”.
Nigel Farage, një politikan i krahut të djathtë që kundërshton fuqishëm emigracionin, publikoi pamjet dhe shkroi në Twitter se “Kjo ishte në Londër mbrëmë. Zoti na ndihmoftë”.
Ky ishte tubimi i dytë i shqiptarëve në Londër këtë muaj. Dy javë më parë, ata shpalosën një flamur mbi shtatoren e kryeministrit të famshëm britanik, Winston Churchill, duke shprehur kështu pakënaqësinë e tyre për deklaratën e ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila e quajti ardhjen e emigrantëve, mes tyre një numër të madh i shqiptarëve, një pushtim.
Më pas të pranishmit bërtisnin se “Jo të gjithë shqiptarët janë kriminelë”. Përveç kësaj, ata thanë se shqiptarët nuk kanë faj për rritjen e krimit në Britaninë e Madhe.
Shqiptarët këtë vit janë emigrantët më të shumtë që vijnë në Britaninë e Madhe me anije përtej Kanalit Anglez. Që nga fillimi i vitit kanë mbërritur 12 mijë, ndërsa për hir të krahasimit kanë mbërritur 50 në vitin 2020. Nga 12 mijë, 10 mijë janë burra, që është një për qind e popullsisë së rritur të Shqipërisë, raportoi BBC në fillim të këtij muaji.