Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), dje ka certifikuar subjektet politike dhe kandidatët e tyre për kryetar për zgjedhjet e 18 dhjetorit që do të mbahen në komunat serbe.
Dy partitë e mëdha Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, do të garojnë me nga katër kandidatë, kurse pjesë e procesit zgjedhor do të jenë edhe subjektet tjera politike
Në Mitrovicë të Veriut, Vetëvendosje ka kandidatë për kryetar Erden Atiq, kurse PDK-ja, Taulant Kelmendin.
Por, cilat janë pritshmëritë e kandidatëve të partive shqiptare për zgjedhjet e 18 dhjetorit në Mitrovicë të Veriut.
Kandidati i VV-së, Erden Atiq ka thënë për Front Online se shpreson se do të jetë fitues i zgjedhjeve të 18 dhjetorit në Mitrovicë të Veriut.
Këtë e thotë për shkak se në dy palë zgjedhjet e kaluara ka qenë më i votuari pas Listës Serbe.
Kurse sa i përket koalicioneve thotë se ende është herët të flitet.
“Po padyshim, duke e marrë parasysh që në dy palë zgjedhjet paraprake, kam qenë kandidati më i votuar pas Listës Serbe. Për aspektin e koalicionit kemi bashkëpunim me partitë të tjera dhe me etnitete tjera politike që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, por a ka me pas diçka kështu formalisht nuk mundem me dit prej tash”, është shprehur Atiq për Front Online.
I, pyetur se në rast të fitores a do të pranohet nga qytetarët serb, Atiq thotë se rezultati zyrtar duhet të pranohet.
“Po, pa marrë parasysh rrethanat, siç e dini edhe KQZ-ja e ka dhënë verdiktin e vet se pa marrë parasysh përqindjen e daljes në ditën e zgjedhjeve me 18 dhjetor rezultati ka me qenë zyrtar dhe i pranueshëm dhe mendoj që ka me u pranu edhe më lehtë prej komunitetit serb, prej asaj pjesë që nuk janë nën agjendën, kërcënimet, presionin e shantazhin që ua bën Lista Serbe”, ka shtuar ai.
Ai, ka folur edhe për mundësinë e tërheqjes së kandidatëve serb nga këto zgjedhje, duke thënë se nuk kanë arsye, pasi që Lista Serbe tashmë ka humbur ndikimin tek qytetari i rëndomtë serb.
“Unë mendoj që nuk kanë me u tërhjek. Nuk mendoj që ka arsye objektive për më u tërheq prej kandidaturës. Shpresa është që Lista Serbe ka me hup ndikimin në relacionin e shantazhit që e ka me qytetarin e rëndomtë serb, kështu që nuk mendoj që kanë arsye kandidatët e pavarur ose pjesë e iniciativave nuk mendoj që kanë arsye me u tërhjek dhe i inkurajoj që mos me u tërhjek”, është shprehur ndër të tjera Atiq për Front Online.
Kelmendi: Nëse zgjidhet kryetari shqiptar në Mitrovicë të Veriut është mirë që serbët ta përfillin
Ndërsa, Taulant Kelmendi, kandidat i PDK-së, për Mitrovicë të Veriut, ka thënë për Front Online se sfidë më të madhe e kanë se po garojnë në një komunë ku shumica absolute janë serb.
Kurse, thotë se nëse aty zgjidhet kryetari shqiptar, atëherë serbët duhet ta përfillin njëjtë siç ka ndodhur me shqiptarët kur është zgjedhur kryetari serb.
“Nëse zgjidhet një kryetar shqiptar është ajo më e mira që mund të ndodhë dhe pastaj banorët e asaj pjesë qoftë komunitet shqiptar apo serb që jetojnë në atëjë pjesë me ligje duhet me përfill atë rezolutat, qysh e kemi përfill edhe ne deri sot”, ka thënë Kelmendi, për Front Online.
Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, thotë se shumica absolute e serbëve nuk do të dalin në zgjedhjet e 18 dhjetorit, dhe se kjo pastaj do të ndikojë edhe në kryerjen e angazhimeve të atyre kryetarëve që do të zgjedhën.
“Do të jemi dëshmitarë të asaj që shumica absolute e serbëve nuk do të merr pjesë në zgjedhje dhe se si kjo do të reflektojë në të ardhmen dhe a do të kenë kredibilitet për kryerjen e angazhimeve të veta kryetarët të cilët do të zgjedhen në katër komunat në veri do të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Por, ajo që është e sigurtë e kemi problem të madh këtë mospjesëmarrje masive të serbëve në këto zgjedhje sepse e dimë që subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk do të mere pjesë”, ka thënë ai, për Front Online.
Sipas tij, kandidatët serb të cilët janë certifikuar mund të ndodhë që në momentin e fundit të mos e thërrasin popullatën që të dal në zgjedhje
“Unë informata nuk kam të sakta rreth kësaj çështje duke patur parasysh nga terreni se çka po shohim dhe jam mjaftë skeptik që fare serbët do të dalin në zgjedhje, përveç një numri minor të tyre, andaj ata nëse e shohin këtë formë munden një ditë ose dy ditë para zgjedhjeve mund të thonë se pavarësisht që jemi certifikuar ne nuk do të e thërrasim popullatën që të marrin pjesë në zgjedhje”, ka shtuar Sheholli, për Front Online.
Kandidatët e tjerë të certifikuar nga LVV-ja janë: Lulzim Hetemi në Leposaviq, Flatron Hasani në Zubin Potok dhe Fetah Peci në Zveçan.
Të PDK-së, janë: Albulena Behluli-Hetemi në Leposaviq, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.
Aleksandër Jabllanoviq, i cili është kryetar i Partija Kosovskih Srba, është certifikuar si kanidat për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Iniciativa Qytetare Mitrovica do të marrë pjesë në zgjedhjet për Mitrovicë të Veriut me kandidatin e certifikuar Betim Osmanin, ndërsa Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak me kandidatin, Aleksandar Arsenijoviq.
Kurse, është certifikuar edhe një kandidate e pavarur, Sladjna Pantoviq, për komunë të Zveçanit.
Më 14 nëntor presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka caktuar 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave.
Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre më 6 nëntor, pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga institucionet e Kosovës