Në disa klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës raportohet se nuk ka sapunë dhe çarçafë.
Radio Evropa e Lirë në një artikull ka shkruar se kanë qëndruar për dy ditë në Klinikën e Kirurgjisë, dhe Klinikën e Pulmologjisë, dhe se këto gjësende thuhet se janë mungesë nga personat që janë të shtrirë atje, por edhe nga pjesëtarë të stafit që nuk deshën të identifikohen.
Ndërkohë, thuhet se kryeinfermierja e Klinikës së Pulmologjisë, Dafina Ramaj, i mohoi këto pretendime.
Në mes të nëntorit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) – përgjegjëse për inspektime të ndryshme sanitare në Kosovë – urdhëroi mbylljen e disa hapësirave në QKUK për shkak të, siç tha, mosplotësimit të kushteve higjienike-sanitare.
“Janë mbyllur këto hapësira: Klinika e Fiziatrisë, dy dhoma të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe reparti i oftalmologjisë”, konfirmoi Inspektorati Sanitar i AUV-it për REL-in.
Shërbimet e tyre janë bartur në klinika të tjera, derisa kushtet në hapësirat e mbyllura të përmirësohen.
Sipas AUV-it, në disa klinika të QKUK-së ka edhe “mungesë të ujit të ngrohtë dhe të mjeteve për higjienë personale” – gjëra të cilat i vërejti edhe vetë ekipi i REL-it.
Si masa për rritjen e nivelit të higjienës, AUV-i, mes tjerash, kërkoi që të menaxhohet frekuentimi i vizitorëve në hapësirat e QKUK-së, si dhe të sigurohet ujë i ngrohtë aty ku mungon.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) – institucion përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve dhe blerjeve në QKUK – nuk dhanë përgjigje direkte në pyetjen se përse situata me higjienën në këtë institucion është e tillë.
“Sektori i prokurimit në QKUK ka iniciuar procedura për furnizim me material higjenik, për nevojat e klinikave dhe sektorëve në kuadër të QKUK-së, ku përfshihen: letër për duar, letër tualeti 100% celulozë e bardhë dhe shamponë për duar me shkumë”, tha drejtoria e përgjithshme e SHSKUK-së në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ajo nuk dha detaje se kur pritet të kompletohen këto furnizime.
Për pastërtinë e klinikave në QKUK është e angazhuar edhe një kompani private, nga e cila konfirmuan se obligim kanë vetëm “largimin e mbeturinave nga repartet” dhe “pastrimin e dyshemeve dhe të dritareve”, shkruan REL,