Mungesa e lobimit të mirëfilltë, është pasojë e mospranimit të Kosovës në Organizatën ndërkombëtare të Sigurisë, INTERPOL, raporton Ekonomia Online.
Ky është mendimi i ekspertëve të sigurisë dhe ish-ministrit të Punëve të Brendshme. Krahas kësaj, ata vlerësojnë se Kosova duhet të punojë më shumë me partnerë strategjik, e jo në mënyra siç thonë, vetanake.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, thotë se në kohën sa ka qenë ministër, janë votuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas tij, votë kundër kanë dhënë shtete që siç thotë “Kufirin e ruajnë me bagëti”, duke iu referuar shteteve afrikane.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket pranimit në Interpol. Interpoli është mekanizëm i sigurisë dhe nuk është mekanizëm politik, edhe pse është shndërruar në politikë për shkak të politikës globale dhe kundërshtimet më të mëdha i kemi pasur nga disa shtete të cilat nuk e meritojnë me qenë në Interpol, janë shtete të paktit të painkuadruar, dhe votat kundërshtuese që na u kanë shtuar ditën e fundit, kanë qenë vota të disa shteteve që ende kufirin e ruajnë me bagëti, pra vota e tyre janë të barabarta me atë të Gjermanisë, Francës apo kujtdo tjetër, dhe ato vota na kanë eliminuar prej konkurrencës në INTERPOL”, thotë Mustafa për EO.
Sipas tij, marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedhimisht edhe organizatat ndërkombëtare duhet të shihen si procese të përfitimit multilateral, pasi siç thotë ai, antëarësimi i Kosovës në këtë organizatë më shumë i konvenon regjionit.
“Trashëgimia e Serbisë është goxha e madhe sa i përket trashëgimisë së ish-Jugosllavisë, dhe kjo i ka trashëguar të gjitha benefitetet dhe gjithë atë miqësi që e kanë pasur ish-Jugosllavia, ende e ka nëpër disa shtete afrikane, dhe ato e përkrahin ende Serbinë”.
“Kosova si shtet i ka të gjitha premasat të jetë në mekanizmat e sigurisë botërore, dhe INTERPOL-i më shumë i konvenon regjionit sesa Kosovës, sepse i vetmi shtet që nuk është në këtë organizatë, është Kosova. Ne kemi marrë votë për pranim në Interpol edhe nga shtetet që nuk na kanë njohur, dhe kanë abstenuar disa shtete edhe që nuk na kanë njohur”, u shpreh Mustafa.
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për Ekonomia Online, se mungesa e lobimit, ka bërë që Kosova ende mos të jetë pjesë e organizatave të ndryshme.
“Çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, këtë rast në INTERPOL është një çështje që ka mbetur që disa vite duke aplikuar e duke u tërhequr, shkaku i moslobimit të duhur për të arritur këtë anëtarësim. Mendoj çdo herë po shfrytëzohet momenti i fundit, po largohen të holla pa nevojë, dhe vetë mënyra e lobimit është për të dështuar. Për faktin se nuk po shfrytëzohen partnerët tanë strategjik, por po mundohemi me mënyra vetanake që Kosova realisht nuk ka një fuqi t’ia dalë në aspektin e një loboimi të mirëfilltë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë”, thotë Ibishi.
Ibishi thotë se lobimi duhet të bëhet tek ato shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet, dhe rrjedhimisht edhe tek shtetet që konsiderohen kyçe në këto procese.
“Kosova duhet me shtetet që na kanë njohur së pari dhe ne ende nuk kemi arrit që ato shtete që na kanë njohur t’i bindim të na votojnë, e lërë më ato shtete që nuk na kanë njohur. Pra aq ka qenë lobimi i dobët dhe i dështuar në këto vite, por dështimi ka qenë mu në çështjen e lobimit. Nuk po fillon me kohë lobimi, nuk po shkohet përmes partnerëve strategjik që të jetë më i pranueshëm e më i mirëfilltë, por në mënyrë vetanake po vazhdojnë dhe nuk po ia dalim”.