Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret, sot reagoi pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarave.
Meshari Selimaj deklaroi se lirimi nga paraburgimi i infermiereve tregon tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit.
Ai u shpreh se sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua.
“Vendimi i Gjykates Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua.”, deklaroi Selimaj.
Gjykata Supreme i liroi nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.
Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj”, tha ajo.