Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha Presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.
Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.
Megjithatë, duket se në këtë vendim ka pasur ndikim edhe kërcënimi që një ditë më herët Kosovës ia dha Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, pasi kryeministri Albin Kurti e fajësoi për refuzim të propozimit për zgjidhjen e krizës rreth targave të veturave.
Borrell pati thënë se ai do të njoftojë për sjelljen e palëve ministrat e vendeve anëtare, dhe kjo çon sinjal negativ politike, e vlen posaçërisht për Kosovën.
Se raportet mes Kosovës dhe Përfaqësuesit të lartë Borrell dhe të Dërguarit të tij të posaçëm, Lajçak janë acaruar u pa edhe pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani akuzoi Borrellin për njëanshmëri.
Sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat të martën më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi sëbashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Ndryshe, situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.
Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë.
Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.