Një oficer i patrullës së përgjithshme në Policinë e Shëngjinit është arrestuar nga karabinierët në Itali, si pjesë e një grupi prej tre personash të akuzuar për disa vjedhje dhe tentativa në Venetto dhe Friuli nga data 30 tetor deri më 15 nëntor.
Burime nga Policia e Lezhës i thanë Balkanweb se, Klisman Nikolli, ndodhej nën vëzhgim prej kohësh në Shqipëri, pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe i implikuar në kultivimin e bimëve narkotike.
Nikolli prej më shumë se një viti po mbahej nën përgjim, teksa ishte shkëputur disa herë nga puna si efektiv në Lezhë duke marrë leje. Ndërkohë që pas mbledhjes së provave, pritet dhe urdhër-arresti për të nga Gjykata në Shqipëri, në lidhje me dyshimet për aktivitetin e tij ilegal.
Më 17 nëntor, Nikolli u bllokua nga karabinierët e kompanisë Portogruaro kur tentoi të kthehej në Shqipëri.
Në dhomën e hotelit në San Stino di Livenza, ku ndodhej me bashkë të hetuarit V.B., 30 vjeç dhe F. K., 35 vjeç, valixhet e tyre tashmë ishin gati, por në vend se ti merrte dhe ti dërgonte në aeroport një grua vendase siç e kishin parashikuar, ata u përballën me karabinierët.
Grupi, sipas rikonstruksionit të hetuesve vepronte mes orës 17:30 dhe 19:00.
Pas një vjedhjeje të kryer në San Michele është përgjuar një ‘BMW’ e dyshimtë, e lidhur me goditje të tjera. Pasi u identifikua targa, karabinierët zbulojnë se ajo kishte si destinacion një ‘Bed & Breakfast’ (hotel), ku ata të tre ishin regjistruar rregullisht.
Nga San Stino ‘BMW’-ja lëvizte çdo ditë dhe ndalonte pikërisht aty ku më pas raportohen vjedhjet.