Turqia do të sulmojë militantët me tanke dhe ushtarë së shpejti, tha presidenti Tajip Erdogan të martën, duke sinjalizuar një ofensivë të mundshme tokësore kundër milicisë kurdë në Siri, pasi sulmet hakmarrëse u përshkallëzuan përgjatë kufirit sirian.
Ai i bëri komentet ndërsa artileria turke vazhdoi të bombardonte bazat kurde dhe objektivat e tjera pranë qyteteve siriane të Tal Rifaatit dhe Kobanit, thanë dy burime ushtarake siriane për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Për disa ditë ne kemi goditur terroristët me avionët, topat dhe armët tona”, tha zoti Erdogan në një fjalim në Turqinë verilindore. “Dashtë Zoti, ne do t’i çrrënjosim të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur, së bashku me tanket tona dhe ushtarët tanë”.
Ai tha më parë se në operacionet kundër kurdëve, përveç avionëve, do të mund të angazhohen edhe forcat tokësore. Turqia, në vitet e fundit, ka kryer disa operacione të mëdha ushtarake kundër kryengritësve kurdë të grupit YPG dhe militantëve të Shtetit Islamik në veri të Sirisë.
Të hënën, Turqia tha se YPG vrau dy persona në sulmet me mortaja nga Siria veriore, pas operacioneve ajrore turke kundër tyre në fundjavë dhe një sulmi vdekjeprurës me bombë në Stamboll një javë më parë.
Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga YPG thanë se 15 civilë dhe luftëtarë u vranë në sulmet turke në ditët e fundit.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar u zotua të vazhdojë operacionet kundër militantëve, duke përsëritur thirrjet për aleatin e saj të NATO-s, Uashingtonin, që t’i japë fund mbështetjes për forcat kurde siriane, që Ankaraja i konsideron një krah të Partisë së jashtëligjshme Punëtore të Kurdistanit (PKK).
“Ne u themi të gjithë partnerëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, në çdo nivel, se YPG është e barabartë me PKK-në dhe këmbëngulim në kërkesën tonë që ata të ndërprejnë çdo lloj mbështetje për terroristët”, tha ministri turk i mbrojtjes para një komisioni parlamentar.
Një fëmijë dhe një mësues u vranë dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën të hënën kur raketat goditën një zonë kufitare në provincën e Gaziantepit në Turqi. Forcat e saj të armatosura u përgjigjën me avionë duke goditur sërish objektiva në Siri, tha një zyrtar i lartë i sigurisë.
‘SHQETËSIME SERIOZE’
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Uashingtoni i ka shprehur shqetësimet e tij serioze Ankarasë lidhur me ndikimin që përshkallëzimi i sulmeve të saj në Siri ka në luftën kundër Shtetit Islamik.
“Ne i kemi bërë thirrje Turqisë të mos ndërmarrë operacione të tilla, ashtu siç i kemi kërkuar partnerëve tanë sirianë që të mos përshkallëzojnë sulmet”, tha zëdhënësi në përgjigjet të pyetjeve me email të agjencisë së lajmeve Reuters.
Shtetet e Bashkuara janë bërë aleate me SDF-në e udhëhequr nga YPG në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri, duke shkaktuar një përçarje të thellë me Turqinë.
Moska, e cila është aleate e Damaskut, i bëri thirrje gjithashtu Turqisë të tregojë përmbajtje në përdorimin e forcës ushtarake në Siri dhe të mos rrisë tensionet atje, cituan agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë një i dërguar rus për Sirinë.
Gjatë një vizite zyrtare në Turqi të martën, Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser u tha gazetarëve se Berlini është në anën e Ankarasë kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit, por paralajmëroi se reagimi duhet të jetë i arsyeshëm.
“Ne qëndrojmë pranë Turqisë në hetimin e këtij sulmi terrorist dhe në luftën kundër terrorizmit. Por, gjithashtu mendojmë se reagimi duhet të jetë i arsyeshëm dhe në përputhje me të drejtat e njeriut dhe të mos dëmtojë civilët”, theksoi ministrja e brendshme gjermane.
Turqia tha se avionët e saj luftarakë shkatërruan 89 objektiva në Siri dhe Irak të dielën dhe të hënën, duke vrarë 184 militantë të grupeve YPG dhe SDF.
Ankaraja tha se operacioni i saj i fundjavës ishte hakmarrje për një sulm me bombë në Stamboll javën e kaluar, në të cilin u vranë gjashtë persona. Turqia ka fajësuar militantët kurdë për sulmin. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërkohë që PKK dhe SDF kanë mohuar përfshirjen në të.
Bombardimi ngjalli kujtimet e dhunës përpara zgjedhjeve të tensionuara të vitit 2015 dhe mund të çojë në një fushatë tjetër të Erdoganit të përqëndruar tek siguria, përpara zgjedhjeve të qershorit të vitit të ardhshëm.
Një zëdhënës i SDF-së tha se në sulmet turke të fundjavës u vranë 11 civilë, një luftëtar i SDF-së dhe dy roje.
Më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë në luftimet midis PKK-së dhe shtetit turk që filluan në vitin 1984. Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë PKK-në një grup terrorist.