Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq e ka komentuar takimin në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçeviq nuk është shprehur optimist për këtë takim.
“Unë nuk jam optimist. Ajo që duhet të bëhet është pezullimi i vendimit të qeverisë kosovare për targat dhe në ndërkohë të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për të dyja palët. Gjendja është tmerrësisht e vështirë për ne. Askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës, por nga një njëri siç është Albin Kurti mund të pritet gjithçka”, ka deklaruar ministri serb, përcjell Insajderi.
Sipas tij, situate e sigurisë në Kosovës është jashtëzakonisht e tensionuar.
“Nuk po ndodhë asgjë që cenon sigurinë e serbëve, por atmosfera është aq e tensionuar sa që nëse dikush do të ndizte shkrepsën në ajër, diçka do eksplodonte”, ka thënë tutje ai.
Vuçeviq ka theksuar se ushtria serbe është e gatshme për të gjitha skenarët dhe do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur “republikën serbe të Kosovës”.
“Nëse urdhëron presidenti i Serbisë, ushtria do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur serbët në Kosovë. Duhet të reagojmë. Apo mendoni se në Novi Sad dhe Beograd duhet të rrimë në kafene të shikojmë rehat kampionatin botëror në futboll”.
Pas këtyre deklaratave, ministri serb është tërhequr pak duke thënë se negociatat janë një zgjidhje më e mirë se konflikti.