Profesori universitar Milazim Krasniqi po vlerëson se kryeministri Albin Kurti është duke harxhuar kohën dhe energji duke u marrë me targat.
Krasniqi në një prononcim për Ekonomia Online shtoi se çështja e targave është teknike-administrative.
Sipas tij, Kurti në vend që të fokusohej në marrëveshjen finale po merret me çështje teknike duke shtuar se nga kjo është duke përfituar Serbia.
“Gjithë kjo energji është duke u harxhuar për një çështje margjinale, teknike administrative dhe në këtë aspekt Qeveria jonë dhe Kosova është humbëse në të gjitha variantet. Sepse në vend që të fokusoheshim tekë çështja e marrëveshjes finale ne merremi më çështjen e targave që është një problem teknik. Ka një kokëfortësi te Kurti dhe Qeveria e tij lidhur me këtë çështje në mënyrë të çuditshme”.
“Ndërsa Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për të bërë presion mbi Kosovën, aq më tepër që amerikanët dhe BE-ja kanë kërkuar që ta shtyrë këtë çështje për dhjetë muaj dhe kjo kërkesë e refuzuar e ka vendosur në vështirësi Qeverinë tonë dhe ka vendosur në pozitë më të favorshme Qeverinë e Serbisë, prandaj realisht nuk mund të pres ndonjë gjë, dëshiroj që të ketë një marrëveshje dhe të zgjidhet kjo çështje. Realisht Serbia është duke e shfrytëzuar këtë situatë për të manifestuar sa më tepër presion ndaj Kosovës dhe për ta kompromentuar në sy të ndërkombëtarëve”, tha ai.
Krasniqi theksoi se në veri mund të jenë aktivizuar organizata terroriste nga Serbia që mund ta destabilizojnë situatën.
Sipas tij, konflikti i mundshëm civil në veri, Kosovën do ta komprometonte në sy të ndërkombëtarëve.
“Ata që e njohin mirë historinë e Serbisë e dinë që rreziku është i madh. Serbia që moti ka përdorur modelet e çuditshme që janë terrorizëm kulturor dhe terrorizëm klasik. Pra rreziku është i madh e problemi më i madh është se konflikti nëse ndodh mund të jetë i lokalizuar në Kosovë sepse Serbia nuk mund të futet në Kosovë për shkak të KFOR-it ashtu që do të ishte një konflikt civil dhe si i tillë do ta komprometonte Kosovën në sytë e ndërkombëtarëve, Serbia po luan në këtë letër për t’i lënë Kosovës fajin se po i diskriminon serbët në veri”, tha ai.
Krasniqi tha se çështja e targave ka pasur zgjidhje dhe Kurti do të duhej t’i dëgjonte Amerikën, raporton EO.
Ai shtoi se me këtë rast si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të dëshpëruara me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
“Zgjidhja ka qenë e lehtë, por Kurti e ka komplikuar, zgjidhja ka qenë që të dëgjohet amerikanët, që kjo çështje të shtyhet për 10 muaj pastaj të fokusohej Qeveria në hartimin e draftit për bashkësinë e komunave, në hapjen e dialogut me serbët lokal për të fituar një mirëbesimin e tyre dhe në koncentrimin në draftin franko-gjerman për të gjetur një zgjidhje finale”.
“Të gjitha këto është dashur të bëhen dhe jo të ngulej këmbë vetëm në çështjen targave, kështu e kemi humbur fokusin, Kosova është në defensivë, Serbi është në ofensive, BE-ja dhe ShBA-ja janë të dëshpëruara me Kosovën”, tha Krasniqi.