Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Holandës do të bashkëpunojnë në fushën ushtarake. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, pas takimit që ministri Armend Mehaj pati me ministren e Mbrojtjes Kombëtare të Holandës, Kajsa Ollongren.
Ky takim ka ndodhur gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax. Sipas njoftimit të ministrisë në Facebook, Mehaj dhe Ollongren diskutuan rreth pikave ku mund të rrisin bashkëpunimin, veçanërisht tani kur veçse është bërë aprovimi për caktimin e atasheut tonë jorezident të mbrojtjes, i cili do të koordinojë bashkëpunimin me këtë shtet.
“Ministri Mehaj e njoftoi për avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë përmes implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, por dhe bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me shtetet anëtare të NATO-s, me të cilët koordinojmë në baza ditore aktivitetet përmes këshilltarëve ndërlidhës të NATO-s (NALT), të cilët aktualisht janë duke shërbyer në Kosovë, të vendosur në zyret brenda objektit të Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Po ashtu sipas njoftimit të dy ministrat u dakorduan që të bashkëpunojnë në çështjen e shkëmbimit të praktikave më të mira sa i përket inkuadrimit të vajzave dhe grave në FSK, e po ashtu në ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, si dhe pjesëmarrjes në misione të përbashkëta me Forcat e Armatosura Holandeze.