Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një kadet i Policisë është aksidentuar dhe për pasojë ka humbur jetën tragjikisht në fshatin Jashanicë. Sinjali mëson se i riu që vdiq është Flordian Shabaj nga fshati Nabërgjan i Klinës.
I riu ishte kadet i Policisë dhe po nisej për në Vushtrri ku po shkollohej në Akademinë e Policisë që ndodhet në këtë qytet.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 06:50 policia ka marrë informatën për një aksident në fshatin Jashanicë të komunës së Klinës. Menjëherë në vend ngjarje ka dalë njësiti policor dhe autoambulanca. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi”, ka thënë Gashi.