Dy raste vdekjesh të dyshimta janë regjistruar në orët e fundit në Kosovë dhe në të dy rastet, viktima janë femra.
Njëri rast ka ndodhur në Skenderaj, përkatësisht në fshatin Llaushë dhe tjetra në Gjakovë.
Informacionet e para jozyrtare janë se në të dy rastet, të ndjerat kanë kryer vetëvrasje, ndonëse Policia e Kosovës ende është duke kryer hetimet e para dhe pritet që në orët më të vona ose nesër paradite të dalë me sqarime shtesë.
Sidoqoftë, në orët e mbrëmjes, në fshatin Llaushë të Skenderajt, policia konfirmon se një grua është gjetur pa shenja jete, RTK.
Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, ka konfirmuar se e ndjera është e moshës 36 vjeç.
“Rreth orës 18:00, nga ana e familjarëve është raportuar se në fshatin Llaushë të Skenderajt, në shtëpinë e saj është gjetur pa shenja jete viktima femër e moshës 36 vjeçare”, ka deklaruar Zahiti.
“Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka deklaruar Zahiti.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, një rast tjetër ka ndodhur në Gjakovë, ku një grua dyshohet se i ka dhënë fund jetës së saj, ndonëse edhe në këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje.
Mësohet se viktima e moshës 47-vjeç, dyshohet se është vetëvarur, dhe pavarësisht se është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, aty vetëm sa është konstatuar vdekja e saj.
Gjithashtu me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i 47-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.