Punësimet e njerëzve të afërt me pushtetin lokal po vazhdojnë në Komunën e Prizrenit. Kësaj radhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës duket se kanë ndikuar që familjarët e tyre të përzgjedhen si drejtorë shkolle e si mësimdhënësa.
Në gusht të 2022-ës, Besnik Berisha është përzgjedhur për drejtor në shkollën “26 marsi” në Landovicë.
8:16 – Sot
Shpërndaje në
Punësimet e njerëzve të afërt me pushtetin lokal po vazhdojnë në Komunën e Prizrenit. Kësaj radhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës duket se kanë ndikuar që familjarët e tyre të përzgjedhen si drejtorë shkolle e si mësimdhënësa.
Në gusht të 2022-ës, Besnik Berisha është përzgjedhur për drejtor në shkollën “26 marsi” në Landovicë.
Burime të Gazetës Insajderi kanë treguar se ai është vëllai i kryesueses së Kuvendit të Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi.
Përveç Besnik Berishës, edhe gruaja e tij, Mimoza Tafolli me 5 nëntor është pranuar si mësimdhënëse në tri konkurse.
Mimoza Tafolli është pranuar si mësimdhënëse e gjuhës shqipe në shkollën “Dëshmorët e Kabashit” në Korishë, në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren dhe “Dëshmoret e Zhurit” në Zhur.
Në pozitën e mësimdhënësit është përzgjedhur edhe djali i drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Bexhat Bytyqi.
Blendon Bytyqi është përzgjedhur si mësimdhënës në shkollën “22 Dëshmorët” në Randobravë.
Insajderi ka kontaktuar tre personat e përzgjedhur në këto konkurse. Vetëm Besnik Berisha u deklarua. Ai mohoi se ka ndikuar motra e tij për përzgjedhjen e tij si drejtor shkolle.
Ai tha se ky është mandati i tij i dytë në krye të shkollës “26 marsi” në Landovicë.
“Jo nuk ka ndikuar aspak, unë që nga viti 2010 punoj në shkollën e Landovicës, në fillim si mësimdhënës i lëndëve Kimi – Fizikë. Në vitin 2016 emërohem si ushtrues detyre i drejtorit të shkollës, ndërsa në prill të 2017 emërohem drejtor në shkollën e Landovicës, kurse motra ka filluar në fundt të 2017 me u marr për herë të parë me politikë. Komisioni e ka bër vlerësimin, dhe ky është mandati im i dytë si drejtor”, ka thënë Berisha për Insajderin.
Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje kryesueses së Kuvendit të Prizrenit, Antigona Berisha Bytyqi dhe drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Bexhat Bytyqi, por, të njejtin nuk kanë kthyer përgjigje.