Me shkuarjen e Hashim Thaçit në Hagë, kundërshtuesja e tij, Presidentja Vjosa Osmani konsiderohej se e kishte humbur një pjesë aktivizmit të saj politik. Duke hyrë në mospajtime me amerikanët, Albin Kurti e la atë edhe pa entuziazmin për aleancën me SHBA-në. Tani, Presidentja flet vetëm për çështje procedurale, kur i bie të flasë. Asnjë fjalë për të gjitha thirrjet e zyrtarëve amerikanë.
Presidentja Vjosa Osmani, e inkuadruar në skenën politike si pasuese e të ashtuquajturës frymë rugoviane, është njohur për admirimin dhe mirënjohjen e theksuar për aleancën me SHBA-në.
E shkolluar në Pensilvania, Presidentja Osmani përgjatë gjithë karrierës së saj politike i ka dhënë SHBA-së merita për formimin e shtetit, duke e konsideruar aleancën e Kosovës me të, si më të rëndësishmen.
Jo më larg se në korrik, Presidentja Osmani, pas takimit me Sekretarin amerikan, Antony Blinken, tha se “Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale”.
Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti, ka ardhur sërish te pika ku vendimet e tij konfrontohen me qëndrimet e Administratës amerikane.
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, si dy politikanë të popullarizuar, vinin prej taborëve të ndryshme, të deklaruar ideologjikisht të kundërt. Por, kur kryqëzuan rrugët, në gati dy vjet pushtet, ndodhi që t’iu bashkohen edhe pikëpamjet. Nuk ka asnjë temë ku Presidentja ka dhënë ndonjë qëndrim të saj të ndryshëm prej Kurtit. Në çështjet që ajo më herët i kishte të qarta qëndrimet, tani i kalon në heshtje.
Një rast ku Presidentja kishte dhënë qëndrimin e saj pro, ishte projekti i ndërtimin të infrastrukturës së gazit në rajon, për të cilin SHBA-ja i sugjeroi Qeverisë së Kosovës që të përfshihej.
Presidentja Osmani e cilësonte këtë projekt më shumë se thjesht për energji, duke thënë se Kosova s’ka rrugëdalje tjetër, pos bashkëpunimit me SHBA-në.
“…në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës”, kishte deklaruar Osmani për DW.
Qeveria vendosi që të qëndrojë jashtë projektit të gazsjellësit, të iniciuar nga SHBA-ja. Presidentja e tejkaloi këtë temë, pa i dhënë më rëndësinë që fillimisht i jepte.
Qëndrimet e fundit të Kryeministrit karshi kërkesave të SHBA-së për ta shtyrë vendimin për targat, duket se ia kanë zbehur entuziazmin Presidentes, për t’u deklaruar edhe rreth raporteve me amerikanët – së paku publikisht.
Ajo nuk e ka thënë asnjë fjalë për thirrjet e shpeshtuara zyrtare nga Amerika për Kosovë dhe as për kritikat e shqetësimet se e gjithë kjo situatë po lëndon raportet e Kosovës me aleaten e saj.
Osmani është deklaruar rreth zbatimit të vendimit për targat pas kërkesës së parë publike që afati të shtyhet, të bërë nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo ndodhi para 1 nëntorit, që ishte afati i fundit i dhënë nga Qeveria për konvertim të targave ilegale dhe para zhvillimeve pasuese.
Presidentja atë kohë la të kuptohej se ishte e rreshtuar kah vendimi i Qeverisë për të mos e shtyrë afatin e zbatimit.
“Për targat është një temë që jemi duke e diskutuar dhe ajo që e kam thënë në takim më Escobar është që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Pra ekziston një grup i vogël i serbëve që nuk e kanë bërë këtë ndryshim sepse ata kërcënohen nga banda kriminale që mbështeten nga Vuçiq”, ka thënë Osmani.
Zyrtarë amerikanë janë deklaruar “të zhgënjyer” dhe “të shqetësuar”, pasi Kryeministri Kurti refuzoi t’ua pranonte kërkesat për shtyrjen e afatit të zbatimit të vendimit për konvertimin e targave ilegale në RKS.
Derek Chollet, këshilltar kryesor i Sekretarit amerikan, Antony Blinken, ka shkruar para një jave, se me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, përgjatë një bisede “ndava zhgënjimin tonë me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targat”.
Kjo konsiderohej situatë e re, ku aleatja më e madhe e Kosovës po i ndante shqetësimet me Serbinë. Kundërshtarët politikë të Kurtit dhe kritikët e quajtën degradim të marrëdhënieve të ndërtuara deri tani mes Kosovës dhe SHBA-së.
Në krejt këtë zhurmë, ka qëndruar indiferente Presidentja Osmani, e cila është lajmëruar për procedurat, që i ngarkohen asaj me Kushtetutë.
Pas largimit të serbëve të Veriut nga institucionet e vendit, përfshirë edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe atje, Presidentja është angazhuar për ti shpallur zgjedhjet.
Është e paqartë se çfarë do të ndodhë fillimisht më 21 nëntor, kur nis faza e dytë e zbatimit të vendimit për targat dhe çka ndodhë deri më 18 dhjetor, kur është caktuar të mbahen zgjedhjet në veri.
Është gjithashtu e paqartë se cili është qëndrimi i Presidentes për gjithë situatën, e specifikisht për raportet me SHBA-në, që ajo i konsideronte ekzistenciale.
Gazeta Express ka drejtuar pyetje për të gjitha këto në Presidencë, por, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk ka pasur përgjigje.