Gjatë së premtes u raportua se një vajzë e mitur, nxënëse në shkollën fillore “Kajtaz Ramadani” në Kijevë të Malishevës është sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle.
Lidhur me këtë rast, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë kanë marrë vendim që të dyshuarit t’i ndalohet puna nga data 18 nëntor 2022.
Punëtori Naser Hamëz Malisheva nga fshati Kijevë, KK- Malishevë i sistemuar në punë dhe detyra të punës punëtor teknik në SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë i ndalohet puna nga data: 18.11.2022”, thuhet në vendimin e Drejtorisë së Arsimit dërguar Gazetës Infokus.
Derisa në vendim thuhet se gjatë kohës së ndalimit nga punë të punësuarit i takon e drejta e pagës pa u dëmtuar në të ardhura personale nga data 18 e muajit nëntor.
Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, në një prononcim ka thënë se drejtori i shkollës në momentin që e ka kuptuar rastin e ka lajmëruar atë dhe policinë.
“Ne rastin e kem si të raportum si dyshim do me thënë nuk kem ende prej organeve prova që e konfirmojnë atë dyshimin në një vepër që në realitet ka ndodhë. Rasti është i lajmrum në polici do me thënë në momentin kur e ka kuptuar drejtori i shkollës më ka njoftu dhe e ka raportu në polici”, ka thënë Krasniqi.
E këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Me datë 17.11.2022, Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar se viktima, femër (e mitur), nxënëse e SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, ishte sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle. Njësitet relevante të policisë ju janë përgjigjur rastit dhe është arrestuar i dyshuari. Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Elezaj
Ndërkaq, rasti është iniciuar si “Sulm seksual”.