Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri te fillimi i Kupës së Botës, që është turneu më i madh për ekipet kombëtare.
32 ekipe pjesëmarrëse do të luftojnë për trofeun e çmuar të këtij turneu, që këtë vit do të mbahet në Katar – transmeton Gazeta Express.
Klubet e futbollit mund të kenë frikën e lëndimeve të futbollistëve të tyre, megjithatë edhe do të përfitojnë financiarisht. Fjala është për skuadrat që kanë futbollistë pjesëmarrës në Kupën e Botës.
Çdo klub merr para në bazë të numrit të përfaqësuesve që ka në Katar.
Sipas “Marca”, çdo klub merr 10,220 euro në ditë për çdo lojtar që është në Kupën e Botës, pavarësisht nëse ata luajnë ose jo.
Kjo vlen për çdo ditë që futbollistët e klubeve përkatëse janë ende në garë. Kombëtaret mund të luajnë maksimumi deri në 7 ndeshje.
Kësisoj, Bayern Munichi, Barcelona dhe Manchester City, janë klubet që mund të përfitojnë më së shumti financiarisht, pasi kanë më së shumti futbollistë pjesëmarrës në Kupën e Botës “Katar 2022”.