Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se, është në vazhdën e përpjekjeve për të mbështetur shërbimet shëndetësore përmes shkollimit specialistik të mjekëve të rinj dhe investimit në aparatura dhe materiale të tjera. Po ashtu, tashmë ka dhe një plan e aktivitet të shtuar për të reduktuar listat e pritjes në klinika për qytetarët tanë që kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Në klinikën e Otorinolaringologjisë janë të angazhuar 13 mjekë specialistë, e 2 të tjerë janë në proces të rekrutimit, të cilët arrijnë me shumë profesionalizëm të mbështesin nevojat e klinikës. Shtuar këtu që përmes shkollimit specialistik, vetëm klinikës së ORL do të i shtohen edhe 12 specialistë të tjerë pas përfundimit të specializimit. Njoftimet e shpeshta në platformat e informimit publik për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga vendi apo nga sistemi publik me gjithë mirëkuptimin për misionin që kanë profesionistët e informimit, është duke krijuar brenga tek qytetarët dhe jo rrallë çorientim. Në respekt të punës së profesionistëve shëndetësorë, qytetarëve anëkënd vendit që marrin- informohen nga mjetet e informimit, ju lutemi që të na drejtoheni për verifikimin e të dhënave që keni për klinikat e stafin. Kjo për arsyen e vetme të mbrojtjes së interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së