Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Kosova ditën e djeshme mori lajm të keq për liberalizim të vizave. Pas dështimit të propozimit të Çekisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, Tahiri ka kërkuar sqarim nga kryeministri Albin Kurti për këtë çështje, derisa deklaroi se ka paaftësi serioze të qeverisë në trajtimin e agjendës së integrimit evropian.
Gjatë seancës plenare, Tahiri ka theksuar se nuk ka informacion se çfarë është duke ndodhur për çështjen e liberalizimit të vizave.
“Dje Kosova nga Brukseli e mori një lajm të keq, atë që ndërlidhet drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave. Si kuvend nuk mund të rrijmë të heshtur dhe nuk mund të mos reflektojmë në një paaftësi serioze të qeverisë në raport me trajtimin e agjendës së integrimit evropian, mirëpo edhe të liberalizimit të vizave. Vetëm kthehuni prapa dy muaj dhe lexoni deklaratat prej kryeministrit, zëvendëskryeministrit, ministrave në raport me liberalizimin e vizave. Do të thotë e patën sjell aq afër që me të vërtetë është duke e vendosur kjo paaftësi serioze Kosovën në një situatë jashtëzakonisht të pafavorshme. Nuk ka asnjë informacion, as tash, e as më herët se çka është duke ndodhur”, u shpreh ai.
Tahiri tha se kërkesa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që Kosova të kandidojë për vend kandidat në Bashkim Evropian. Ai kërkoi edhe sqarim nga kryeministri për çështjen e liberalizimit të vizave.
“Çka ka ndodhur dje në raport me liberalizimin e vizave dhe ku jemi. Dhe e dyta a e ka në plan që të procedojë kërkesën për vend kandidat duke e ditur se Ukraina dhe Moldova e kanë marrë këtë vendim nga Unioni Evropian, si vendim politik jo si vendim politik”, ka shtuar ai.