Asociacioni i Komunave të Kosovës është ankuar se Qeveria po e cenon funksionimin e pushtetit lokal me Projektligjin e buxhetit për vitin 2023.
Sipas AKK-së, Qeveria ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit, duke e shtuar një pjesë.
“Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të Ligjit për buxhetin e vitit 2023 ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave. Më saktësisht tek neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023, paragrafi 6 është shtuar heshturazi pasusi i fundit ‘Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’”, thuhet në njoftimin e asociacionit.
AKK-ja ka thënë se me këtë po tentohet që komunave t’iu merren të hyrat vetanake të pashpenzuara.
“Në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bordi kërkon që të hiqet ky pasus, sepse është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushteti lokal dhe Ligjin e Financave Publike”.
Komunat kanë kërkuar që të mos ketë ndërhyrje nga niveli qendror.