Shqiptimi i gjobave për shoferët që thyejnë rregullat në trafik bëhen shpesh herë shkas që qytetarët të revoltohen dhe të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 15:10 në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku një njësi policore kanë ndalur një veturë, shoferin e së cilës e kanë gjobitur për mos respektimin e rregullave në komunikacion.
Sinjali mëson se kjo ka nervozuar 35-vjeçarin i cili nuk i është bindur urdhrave të Policisë dhe ka kërcënuar zyrtarin policor duke u betuar se do ketë punë me të në momentin që e takon pa uniformë dhe pa armë.
Kjo ka bërë që llapjani të prangoset dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.