Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan, raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi zëdhënës në këtë institucion ka konfirmuar se KQZ-ja e ka aprovuar edhe buxhetin në vlerë 556 mijë e 482 euro.
“Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja ka miratuar planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren me qëllim të organizimit të këtyre zgjedhjeve. Aktivitetet për organizimin e këtyre zgjedhjeve i referohen afatit prej 34 ditësh që është në dispozicion të KQZ-së”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”.