Jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke komentuar tensionet në rritje midis Kosovës dhe Serbisë. Borrell tha se të dyja palët duhet urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.
Ai i bëri komentet në një konferencë për media në Bruksel, pas një takimi që zhvilluan ministrat e Jashtëm të BE-së për çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.
Në të kundërtën, “do të kemi situatë të rrezikshme”, tha Borrell, duke mos elaboruar më shumë.
Më herët, ai tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e kësaj krize.
“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë”, tha Borrell.
Ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi, por falënderoi Francën dhe Gjermaninë për ndihmën e ofruar.
Borrell tha se Kosova dhe Serbia janë në udhëkryq dhe se “duhet të vendosin nëse duan të shkojnë në të kaluarën, apo drejt BE-së”.
Më 7 nëntor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se situata e fundit në Veri nuk po ndodh për shkak të targave e as për arsyet të cilat janë thënë.
Kurti, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia.
“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjurçit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për ata po i përdorin serbët të cilët vazhdojnë t’i dëgjojnë akoma në Republikën e Kosovës pra pjesëtaret e ndryshëm të strukturave ilegale”.
Kronologjia e ngjarjes
Madje Kurti, para gazetarëve sqaroi edhe kronologjinë e ngjarjes që ka sjellur deri tek një situatë e tillë.
“Qëllimi i Beogradit nuk është për të mos pranuar planin, por qëllimi i tyre është për ta maskuar refuzimin e planit dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është se ne e kemi parë si hap në drejtimin e hapur meqenëse mocionet që përdorën në atë propozim janë vlera, për dallim nga propozimet e tjera”.
“Gjithçka ka filluar më 18 gusht pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, unë jam i bindur që më deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, kemi pasur dialog për konsusione nganjëherë edhe dialog për dialog”.
Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe pikat që kanë qenë në takim si dhe takimin që kishte zhvilluar me këshilltarët e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.
“Mirëpo, më 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale dhe më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltaret e lartë të Scholz dhe Macron së bashku edhe me ndërmjetësuesin Lajçak ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë që janë bazë e mirë unë i kam vërejtjet e mia, jua kam thënë edhe atyre, mirëpo unë nuk e kam refuzuar”.