Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me ftesë të homologut të tij lituanez, Kęstutis Navickas qëndroi për vizitë zyrtare dy-ditore në shtetin e Lituanisë.
Peci dhe Navickas biseduan rreth bashkëpunimit duke ndarë përvojat dhe ekspertizat me qëllim të ngritjes së kapaciteteve, për ndihmë parahyrëse për zhvillim rural të Bashkimit Evropian – IPARD, në avancimin e politikave, përafrimin e legjislacionit, si dhe procesin e dixhitalizimit, njofton Klankosova.tv.
“Biseduam për sigurinë globale ushqimore dhe shkëputjen e zinxhirit ushqimor në botë, si pasojë e agresionit Rus ndaj Ukrainës, me ç’rast kemi shkëmbyer edhe eksperiencat e dy vendeve tona. Lituania është një nga prodhuesit më të mëdhenj të drithërave dhe të grurit në botë për kokë banori, e aftë për të eksportuar grurë në sasi të konsiderueshme dhe me cilësi të jashtëzakonshme. Prandaj, edhe biseduam për mënyrën e bashkëpunimit në këtë fushë, duke filluar nga fara e deri tek plehrat”, u shpreh Ministri Peci pas takimit me Navickas.
Në kuadër të kësaj vizite, Peci zhvilloi takim bilateral edhe me Ministrin e Ambientit të Lituanisë, Simonas Gentvilas, me ç’rast diskutuan për shumë çështje që ndërlidhen me sfidat mjedisore dhe menaxhimin më të mirë të pyjeve.
Gjatë vizitës, ministri Peci premtoi se shumë shpejt produktet vendore kosovare do të jenë prezent në tregun e shtetit lituanez.