As pas mbledhjes së dytë të Grupit Punues për Vizat, nuk ka pasur ndonjë konsensus për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Grupi Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar sot për heqjen e vizave për Kosovën, por nuk ka arritur asnjë rezultat.
Ish-Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj ka thënë për “Front Online” se qasja e BE-së ndaj Kosovës nuk është aspak e drejtë.
“Ky është mesazh për Qeverinë e vendit, ndërkohë që pasojat do t’i vuajnë qytetarët tanë”, theksoi Ahmetaj për “Front Online”.
Sipas saj, Qeveria aktuale duhet të dorëhiqet.
“Establishmenti politik duhet sa më parë të dorëhiqet sepse e kanë pru Kosovën buzë humnerës”, u shpreh shkurt Ahmetaj për “Front Online”.
Presidenca çeke, që drejton aktualisht Këshillin e BE-së, kishte njoftuar se është diskutuar propozimi për ta lidhur liberalizimin e vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, që ndodh në nëntor të 2023-s, por nuk ka pasur konsensus.
“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS”, thuhet në një deklarim nga Këshilli i BE-së.
“Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociata. Presidenca do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta kryejë punë në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet tutje në deklaratën të Presidencës çeke.
Në mbledhjen e grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së, që u mbajt më 13 tetor, zyrtarët francezë raportohej se kishin kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.