Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbyllur për publikun seanca e së enjtes, në rastin ku Milaim Zeka po akuzohet se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” ndaj të dëmtuarës B.D.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Zekën se pa autorizim e ka incizuar fshehurazi të dëmtuarën B.D në një restorant në Prishtinë, derisa kjo e fundit kishte kërkuar nga ai që mos ta përmend djalin e saj në shkrimet e tij apo kudo tjetër. Por më pas, në aktin akuzues thuhet se i akuzuari atë incizim ia kishte kaluar personave të tretë.
Gjykatësi Sabit Sadikaj, konstatoi se kërkesën për mbylljen e seancës e ka bërë mbrojtësi i të dëmtuarës B.D, avokati Tomë Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në këtë seancë janë dëgjuar deklaratat e dy dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Vehbi Kajtazi dhe Avdyl Mziu.
Seanca e radhës është caktuar më 18 nëntor 2022.
Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 mars 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka po akuzohet se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim ua ka shpërndarë personave të tretë.