Hyrjet e hajnave me forcë brenda shtëpive private, banesave, institucioneve financiare e bizneseve të ndryshme, po u shkaktojnë humbje e pasiguri të mëdha qytetarëve të vendit. Ka edhe raste kur ata kapen në flagrancë nga pronarët e shtëpive, e po ashtu edhe kur përpos qëllimit të vjedhjes, hajnat sulmojnë edhe fizikisht viktimat, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Davidovc të Shtimes, ku një person i panjohur ka hyrë brenda një shtëpie private me qëllim që të kryejë vjedhje.
Sinjali mëson se përpos dëmeve materiale që u shkaktuan, e pësoi keq edhe nusja e shtëpisë, e cila u përball më të dyshuarin.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vjehrri i viktimës e ka gjetur 27-vjeçaren të alivanosur dhe me lëndime në kokë në dhomën e fëmijëve të saj. Bazuar në dëshminë e ankuesit, reja e tij e ka njoftuar atë që me të hyrë në dhomë ka parë se aty ndodhet një person i panjohur, i cili e ka sulmuar në kokë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, gruaja është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Personi i cili ende nuk është identifikuar, dyshohet se ka arritur që të demolojë dhomat e ankuesit dhe viktimës dhe po ashtu ka vjedhur para të gatshme në vlerë të rreth 600 eurove.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje grabitqare’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.