Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se mënyra e vetme për të arritur marrëveshjen finale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do duhej t’i mbyllte në një vend Kurtin dhe Vuçiqin, derisa të merreshin vesh mes vete.
Haradinaj më tej vlerësoi se Kurti tanimë është në rrugë të gabuar.
“Unë do i bëja thirrje Amerikës, në rast se ne nuk po dimë me dalë prej ku kemi hyrë, mos na lejoni më tutje me shku dëm. Na nxirrni prej ku kemi mbetur, mos na leni vetëm, mos na leni t’i vuajmë pasojat e kësaj. Mënyra e tyre do ishte me i thirrë udhëheqësinë e Kosovës dhe Serbisë, me i mbyllë diku derisa të merren vesh mes vete. Jemi në drejtim të gabuar, Kurti është në drejtim të gabuar”, deklaroi Haradinaj në tëvë1.
Duke u përgjigjur se nga çfarë mund të vie ngurtësia e Kurtit, Haradinaj tha se në këtë rast do donte ta ruante vetëm gjendjen, e madje të vepronte në drejtim të duhur.
“Unë e kam pyetur Kurtin për kë punon. Kjo pasi nuk besoj që Kurti si kryeministër nuk e din çfarë pasoja i sjellë Kosovës duke u ndarë nga Amerika në këtë fazë finale të procesit”, theksoi tutje ai.