Diplomati amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-së për situatën në Kosovë, i cili nuk ka ndryshuar. Ai i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave ilegale dhe të nisë urgjentisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të dyja këto, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk i bën.
“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.
Kështu deklaroi më 9 nëntor në një takim me gazetarë ambasadori Hovenier.
Këtë thirrje, SHBA-ja e ka ripërsëritur disa herë së fundmi, e sidomos pasi serbët e veriut të Kosovës u larguan nga çdo detyrë që e mbanin në institucionet e shtetit.
Kryeministri Kurti të hënën në një konferencë për media ka shpallur të pavlefshme pyetjet se a po rrezikohen raportet me SHBA-në, pas kërkesave të përsëritura të saj dhe qëndrimit të ndryshëm nga to, të Qeverisë.
Kurti ka thënë se raportet e Kosovës me SHBA-në nuk janë të llojit “gjyshi me nipin”, ndërsa thotë se është në komunikim të rregullt me përfaqësuesit amerikanë.
A po prishemi me Amerikën, a do ta dëgjoni Amerikën. Nuk ndodhin këto gjëra. Nuk kena kështu raporte me SHBA-në sikur gjyshi me nipin. Nuk e di kush po ua lexon këto, se s’besoj që i keni lexu vetë e po mendoni kështu. Asnjë vendim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan. SHBA-në e kemi miq dhe partner. Miq dhe partner, nuk shkruajnë aso komunikata që cituat ju. Kjo mënyrë ëhtë edhe ofendim për Amerikën, ata janë vend demokratik”, tha Kurti.